Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës
Mbi Organizimin e Punëtorëve
Punëtorë dhe të papunë,
Punëtori/ja sot është vetëm hija e vetëvetës së dikurshme kur shefat dhe shteti i druheshin fjalëve e veprimeve tona kundërshtuese. I hudhur anash, emri ”punëtor/e” është zavendësuar me emrat “qytetar”, “votues”, ”konsumator”, fjalë këto që fshehin realitetin e 200 eurove rrogë mujore për më shumë se 10 orë punë në ditë. Mirëpo, vështirë se mund të fshihet stresi, skamja, poshtërimi, abuzimi dhe shtypja që e perjetojmë çdo ditë. Vështirë që mund të fshihet realiteti i mbi 50 punëtorëve të vrarë në vendet tyre të punës gjatë pesë viteve të fundit; raste këto që mund të mos ndodhnin po të shpenzohej më shumë për paisje sigurie, në vend se profiti të shkojë tek shefi. Përkundër të gjitha dramave politike që sot po i shohim, akuzat e kundër akuzat për korrupsion, askush nga politikanët, mediat, shoqëritë civile dhe sindikatat nuk i përmendin këtë dhunë sistematike.
Shefat/pronarët zotojnë mjetet e punës (tokën, fabrikën, agjencionin, zyrën, kafenenë) ndërsa ne zotojmë punën. Ne, punëtorët, jemi ata që krijojmë: bujku në fushë, punëtori në fabrikë, zdrukthtari në punishte, shoferi që transporton njerëz apo mall, kamarieri, shankisti, arsimtari etj. Pra, ne me punën tonë arrijmë që ta sjellim produktin, grunin; të ndërtojmë shtëpi, të sigurohemi që mallërat të arrijnë në shitore, të kryejmë shërbime. Mirëpo edhe pse ne i kemi krijuar këto prodhime, në fund nuk na takojne neve por punëdhënësit. Me fjalë të tjera, ne nuk e zotojmë prodhimin apo frytet e punës sonë; ato na vidhen nga shefat/pronarët parazitë që mbijetojnë nga puna dhe mundi ynë. Ne çdo ditë jemi të detyruar ta shesim punën tonë tek shefat për fraksion të vlerës së saj, rrogë kjo që nuk i mbulon as nevojat themelore për ushqim.
Këta të fundit nuk do të mund të funksiononin pa pasë përkrahjen e fortë të shtetit me të gjithë aparatin e tij të dhunës (policinë, gjyqësorin, parlamentin, partitë politike). Kjo vjedhje lejohet me ligj, vërtetohet dhe ripërtrihet me bashkëpunimin e ngushtë të biznismenëve me politikë dhe politikë-bërës. Nuk është pra çudi që çdo parti politike pa përjashtime ka në vete milionerë dhe pronarë, që shfrytëzojnë parlamentin dhe institucionet e tjera shtetërore për të paraqitë lirshëm interesat e veta ndërsa, punëtorëve të vet nuk ua lejojnë të drejtën themelore që të organizohen. Rrjedhimisht, parlamenti është fushëbetejë ku elitat politike dhe ekonomike i qerojnë hesapet e veta - ndonjëhere njëri kundër tjetrit, mirëpo, gjithmonë kundër punëtorit dhe të papunësuarit. Në dallim prej asaj që mësojmë përmes mediave, ne themi se parlamenti dhe demokracia përfaqësuese nuk punon për të mirën e punëtorëve por gjithnjë në të mirë të shtypësve tanë. Qoftë edhe të ashtuquajtuara partitë “e majta” sado që sipërfaqësisht deklarohen se luftojnë për të mirën e punëtorëve, ato gjithnjë luftojnë për të mirën e këtij sistemi shfrytëzues kapitalist.
Ndërkombëtarët kanë hisën e vet në këtë proces. Kujtojmë se pas intervenimit të NATOs dhe vendosjes së pushtetit neo-kolonialist ndërkombëtar, prioriteti i tyre ishte zhdukja e çdo të drejte punëtore, privatizimi dhe fillimi i vendosjes së rendit neo-liberal. Rrjedhimisht, industritë që ishin nën vetëmenaxhimin e punëtorëve si dhe industritë tjera publike janë tanimë në duar të kapitalit privat, kurse dhjetëra mijëra punëtorë mbeten pa punë. Ata “me fat” që mbetën pa u larguar, punojnë me kushte dhe pagë të mjerueshme të cilët shokët/shoqet tanë ishin të detyruar ta pranojnë për shak të kushteve të rënda ekononime, kushte në të cilat ne ende gjendemi.
Fuqia jonë si punëtorë është tejet e madhe. Nëse do të ndaleshim së punuari vetëm për një ditë të vetme, do të bllokohej i tërë sistemi. Shteti dhe pronarët me dinakërinë që posedojnë, janë të vetëdijshëm për këtë fakt. Kjo është arsyeja pse ne kemi sot ligjin e punës i cili na garanton disa të drejta. Mirëpo, këtë ligj e shohim si problematik, jo nga fakti se na garanton disa të drejta, por për shkak se na detyron me pranu këtë marrëdhënie skllavnore me punëdhënësit tanë.
Ne themi se fajtorë për këto të lartpërmendurat, aq sa politikanët dhe pronarët, janë edhe sindikatat hierarkike (të cilat i quajmë “sindikata të verdha” / reformiste). Këto sindikata e kanë tradhëtuar punëtorin dhe klasën punëtore, jo vetëm për interesa të ngushta të udhëheqësive të tyre por edhe për shkak të animit te tyre anti-punëtor dhe propagandimit se dallimet klasore nuk ekzistojnë. Sot sindikatat nuk janë sindikata radikale të punëtorëve por partnerë social të pushtetit. Me fjalë të tjera, ata së bashku me shtetin punojnë në mënyrë që të sigurojnë mbarëvajtjen e sistemit ekonomik nga i cili të pasurit bëhen më të pasur, ndërsa ne vetëm sa më të varfër dhe të shtypur. Me gjithë këto shtypje, shfrytëzime, abuzime, misogjini, vdekje dhe gjymtime, ata vetëm sa qëndruan indeferent dhe nuk ndërmorën asnjë veprim. Mirëpo kjo nuk na befason neve.Sindikatat e verdha janë të tjetërsuara nga ne punëtorët. Për ata punëtorë që janë pjesë të sindikatave, mundësia që të ndikojnë në të, janë sipërfaqësore. Brenda sindikatës ka vetëm dy role: roli i udhëheqësve që bashkëpunojnë me pronarët dhe shtetin, dhe i dyti i të gjithë punëtorëve të tjerë të cilëve vetëm sa iu shfrytëzohet emri në mënyrë që udhëheqësia ta ketë pozitën më të mirë negociuese për hesapet e veta. Punëtorëve vetëm u jepet “mundësia” për të votuar këtë udhëheqësi çdo katër vite. Mirëpo, në krahasim me mendimin që na është imponuar nga ideologjia dominante që e natyralizon pabarazinë, vota këtu nuk na sjell dobi. Me votë ne i legjitimojmë këto struktura hierarkike në sindikatë dhe n’fakt ia japim pushtetin një grupi të vogël të individëve që të marrin vendime mbi ne dhe në emrin tonë. Rrjedhimisht, ne ia këpusim këmbët vetes që t’jemi subjekt me të drejtë që ta vetëudhëheqim fatin tonë në vend të punës. Me votë ne i arsyetojmë këta karrierista politik, që përfundojnë si servilë të sistemit. Me votë ne i arsyetojmë shtypësit tanë.
E pra, nuk duhet të jemi të befasuar se si kryetari i BSPK-së, konfederatës së vetme sindikale në Kosovë, është anëtar në bordin e drejtorëve në AKP, përkrah privatizimin dhe pozicionohet kundër punëtorëve më shpesh sesa vetë shteti.
Anarko-sindikata (Sindikalizmi Revolucionar)
Ajo që nevojitet dhe ajo që propozojmë ne është krijimi i një lloji të ri të organizimit të punëtorëve, një lloj të ri të sindikatës; një sindikatë radikale që lufton që ta çlirojë punën, punëtorin dhe të papunësuarin nga kthetrat e shefave dhe shtetit dhe çdo insitucioni tjetër shtypës ndaj punëtorëve; një sindikatë e lirisë dhe barazisë.
Kjo sindikatë është e punëtorve për punëtorët, por edhe e të papunëve, studentëve, penzionerëve dhe të rinjëve. Në krahasim me sindikatat tradicionale, anarko-sindikatat nuk kanë kryetar, udhëheqës apo çfarëdolloji hierarkie. Pasi që motivi kryesor është barazia dhe liria, struktura e sindikatës e reflekton këtë. Prandaj e tërë fuqia vendim-marrëse bie tek baza, tek vetë punëtori/ja dhe jo tek kryesia apo ndonjë strukturë tjetër. Secili anëtar ka të drejtë të propozojë, debatojë, merrë vendim për parimet dhe metodat e sindikatës si dhe për çdo çështje që e preokupon punëtorin si të tillë. Kjo është mënyra më legjitime e vendimmarrjes pasi që secili individ e përfaqëson në plotësi veten e tij/saj. Pasi që nuk ka udheheqës, konkurrenca zavendësohet me bashkëpunim ndërsa lufta për pushtet me ndjenjën e solidaritetit që tenton në të mirën kolektive, gjithnjë duke u bazuar në vetë-fuqinë dhe vetë-iniciativën tonë, pa ndërmjetës, pa shefa dhe pa shtet.
Anarko-sindikata nuk është sindikatë e zakonshme dhe nuk është parti politike, mirëpo lufton si në frontin ekonomik ashtu dhe në frontin politik.
Rroli parësor i anarko-sindikatës është që ta përmirësojë pozitën ekonomike të punëtorit/ës dhe njihkohësisht edhe të papunit duke luftuar në vend të punës për rrogë më të mirë, kushte më të mira, orar më të shkurtë, rritje të numrit të punëtorëve, etj. Në kahasim nga sindikatat e verdha, ne përmirësimim e pozitës së punëtorit e arrijmë përmes aksioneve të drejtpërdrejta radikale kundër kapitalit; protesta, ndalim të punës, greva, sabotazhe e okupimi, këto janë vetëm një pjesë e metodave të cilat i kemi në dispozicion. Vetëm kështu ne mund të arrijmë që ta rrisim dhe shfrytëzojmë pjesën (përqindjen) që na mirret nga vet puna jonë. Një dallim tjetër qëndron në faktin se të gjitha sindikatat e vjetra, pa përjashtime, e pranojnë sistemin kapitalist dhe plaçkën e bërë ndërmjet sistemit të shitjes së punës për një rrogë. Ne e refuzojmë këtë sistem të korruptuar dhe të padrejtë dhe nuk e ushqejmë iluzionin se ne mund të përparojmë brenda tij.
Fronti i dytë, ai politik zhvillohet së bashku me, por edhe si nënprodukt i luftës sonë ekonomike. Lufta jonë e drejtpërdrejtë kundër kapitalit është luftë kundër thelbit të sistemit të korruptuar dhe si e tillë lufta është politike: është luftë revolucionare. Kjo është luftë kundër çdo lloji të pabarazisë dhe shtypjes, kundër racizmit, seksizmit, ksenofobisë, homofobisë, fashizmit, nacionalizmit, shtetit, etj. Ne nuk i besojmë parlamentit i cili është krijuar që ta ruaj interesin e elitave. Përkundrazi, ne e shohim atë si armik të interesave të puntorëve dhe pjesëmarrja e punëtorëve në të vetëm sa do ta dobësojë pozitën tonë edhe më shumë.
Pra le të jetë kjo thirre për të gjithë të shtypurit, punëtorët, të papunët, penzionistët dhe të rinjët që të vetë-organizohen dhe ti bashkangjiten luftës tonë të përbashkët kundër shtypësve tanë, luftës për shoqëri të lirë dhe të barabartë.
Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës
JO LUFTË MES POPUJVE, JO PAQE MES KLASAVE