Kolegë studentë, akademikë dhe punëtorë,


Që nga fundi i luftës në Kosovë, universiteti është shndërruar në fabrikë të prodhimit masiv të fuqisë se lirë punëtorë gjysëm të kualifikuar, i cili mbijeton duke i vjelë studentët dhe pastruar paratë e bandave kriminale të pushtetit dhe borgjezisë. Universiteti jonë “publik” është bërë vatër për rehabilitimin e ambicieve të militantëve partiak, seksitëve, nacionalistëve, shovinistëve, njerëz të pakualifikuar (ndër të tjerë), që krijojnë gjenerata të tëna në shëmbëlltyrën e tyre.


Së fundmi është zgjedhur dhe rektori i ri Marjan Demaj, një individ me lidhje të njohura me pushtetin si dhe me punime të botuara në gazeta të dyshimta. Ky fakt neve nuk ka befason dhe asgjë të re nuk kemi pritur nga këto zgjedhje të mbajtura në universitet.


Përtej suksesit shumë të rëndësishëm që ta vënë në pah kapjen e thellë të unversitetit nga pushteti si dhe rrëzimin e rektorit të korruptuar Ibrahim Gashi, protestat masive studentore të 2014-tës, ne i konsiderojmë si të dështuara. Dështimi qëndron në faktin se nuk është tentuar asnjëherë të krijohet një lëvizje masive studentore johierarkike, si dhe ndryshimet e kërkuara, sado të rëndësishme dhe nevojshme, asnjëhere nuk i janë qasur problemit më thelbësor të unviersitetit.


Problemet tona janë shumë më të thella se kaq. Problemi i Universitetit nuk përfundon me sjelljen e nje rektori te ndershëm apo një parlamenti dhe senati jo partiak. Ne argumentojmë të kundërtën. Rektori, parlamenti studentor, senati, këshillet dhe organizatat hierarkike studentore, janë vet pjesë e problemit pasi që funksionojnë si pararojë e këtij sistemi eksploativ dhe jo të barabartë.


Të gjitha të lartëpërmendura janë nënprodukte të dy mendësive të ndryshme por të ndërlidhura: logjikën e hierarkisë dhe logjikën kapitaliste.


Ne si studentë, profesorë dhe punëtorë jemi të ndarë nga vendimmarrja; pjesëmarrja jonë kushtëzohet vetëm me pjesëmarrje në struktura hierarkike (organizata studentore) të cilat karakterizohen nga parzarllëqet ndermjet individëve dhe grupeve të interesit që luftojnë për pushtet.


Brenda këij sistemi ka vetëm dy rrole: ajo e udhëheqësëve dhe ai i neve të gjithë të tjerëve që jemi shkëputur nga vendimmarrja. Neve vetëm na ipet mundësia për votim në të cilën kemi të drejtë një herë në 2 vjet. Mirëpo, në krahasim me mendimin që na është imponuar nga ideologjia dominante që e natyralizon pabarazinë, ne votën e shohim si gjë problematike. Me votë ne i legjitimojmë këto struktura hierarkike dhe faktikisht ia japim pushtetin një grupi të vogël të individëve që të marrin vendime mbi ne dhe në emrin tonë. Rrjedhimisht, ne ia këpusim këmbët vetës që t’jemi subjekt me të drejtë që ta vetëudhëheqim fatin tonë në unviersitet. Me votë ne i arsyetojmë këta karrierista politik, servilë të sistemit. Me votë ne i arsyetojmë shtypësit tanë.


Logjika e dytë, ajo e kapitalizmit, buron nga e para, por edhe i jep formë të parës. Që nga fundi i luftës, neoliberalizmi e ka uzurpuar çdo hapësirë të jetës tonë publike dhe private; na ka racionalizuar dhe tjetërsuar nga njëri-tjetri, nga puna dhe vendet tona te punës, i ka kapur te gjitha institucionet, i ka shuar sindikatat, i ka komercializuar shkollat, dhe jetët tona i ka shndërruar në mall. Shoqëria jonë është shndërruar në një sistem racional, eksploativ i cili i shërben të pasurve, oligarkëve ekonomik, karrieristëve politik, pushtetit servil si dhe interesave imperialiste ndërkombëtare, që përfitojnë në krah të të gjithë studentëve, punëtorëve dhe të papunëve, e më së shpeshti nga më të varfurit e të paprivilegjuarit.


Përmes kësaj logjike, universitetet s’janë asgjë tjetër veçëse fabrika për prodhimin e fuqisë së lirë punëtore, gjysëm të kualifikuar për nevoja të kapitalit privat. Kështu pra, përparësi i jepet degëve që janë profitabile për tregun, ndërsa degët tjera lihen anash të kalben pa asnjë përkrahje. Pra, egziston një arsye pse dega e ekonomisë, juridikut, departamentet e gjuheve të huaja, regjistrojnë studentë përtej kapacitetit të tyre për të mbarëvajtur mësim cilësor. Në anën tjetër, pikërisht ato departamente që duhen të ishin vatër e mendimit kritik - shkencat sociale dhe artet janë të kufizuara edhe si për nga numri i studentëve ashtu edhe për nga përkrahja financiare. Kësaj nuk ju ikin as shkencat egzakte.


Në vend se kompanitë dhe bizneset private të paguajnë për aftësimin e punëtorëve, përgjegjësia si dhe(kryesorja) çmimi bie mbi unversitetin dhe studentin.


Ndërkohë planprogrami është kompresuar në 3 vjet dhe kualitativisht ka rënë në nivel të mësimit sipërfaqësor. Ai kryekput e reflekton ideologjinë dominante sot në Kosovë: një mendësi servile ndaj neo-kolonializmit, kapitalizmit, një mendësi që fetishizon shtetin dhe nacionalizmin, konkurrencën, partiarkatin, ksenofobinë, homofobinë, seksizmin, pabarazinë. Kështu pra universiteti bëhet hallkë e rëndësishme e riprodhimit ideologjik dhe sistemit klasor.


Ne, studentët, në këtë sistem marrim rol të dyfishtë: atë të produktit-në-bërje dhe atë të konsumatorit. Sipas logjikës së tregut, ndëkohë që universitetet janë bërë fabrika të prodhimit sistematik dhe masiv të punëtorëve për nevoja të tregut, ashtu edhe ne, studentët, jemi produkte-në-bërje. Të cilësuar si fuqi punëtore e pakualifikuar, ne kalitemi dhe formësohemi në skllavë të ndëgjueshëm të cilët do të krijojnë kapital për të kamurit e klasës udhëheqëse duke shitur punën tonë për një fraksion të vlerës së saj.


Në të njejtën kohë ne jemi edhe konsumatorë të shërbimeve të universitetit. Ne jemi të detyruar të paguajmë për privilegjin e studimit. Jemi të detyruar të paguajmë për semestër, për mjetet e mësimit, për vendbanim, ushqim, transport, paraqitje të provimeve, si dhe ndodnjë haraç për ndonjë profesor që ta kalojmë provimin. Duke konsideruar rrogën mesatare në Kosovë si dhe përqindjen e papunësisë, një familje mesatare në Kosovë e gjen veten në pozitë shumë të pafavorshme për ti mbuluar këto shpenzime. Rrjedhimisht studentët e klasave më të larta kanë mundësi më të mira për studim krahas bashkëmoshatarëve të klasave më të ulëta, e rrjedhimisht e riprodhojnë pabarazinë ekzistuese në shoqëri.


Ironikisht, para disa viteve pagesat semestrale janë përgjysmuar nga pushteti i atëhershëm si mashtrim i fushatës parazgjedhore. Kjo nuk është përcjell me rritjen e përkahjes financiare nga këta të fundit, gjë që e ka vë universitetin në situatë tejet të vështirë financiare.



Ne propozojmë një ide aq sa radikale aq edhe të thjeshtë: organizimin e të gjithë studentëve, stafit akademik, administrativ dhe punëtorëve të tjerë në struktura jo-hierarkike në parime të demokracisë së drejtpërdrejtë. Kjo formë e vendimmarrjes do të thotë që të gjithë kanë të drejtë të propozojnë, diskutojnë dhe vendosin për çështjet që i preokupojnë ata vet si dhe të gjithë neve si kolektiv në universitet. Nuk është organizatë, nuk ka antarë apo pagesë për anëtarësim, nuk ka hierarki, nuk ka kryetar apo ndonjë formë tjetër të udhëheqjes dhe është i hapur për të gjithë.


Çfarëdo forme që ta marrë ky lloj i organizimit, konfederatë sindikale jo-hierarkike, plenum (kuvend i hapur gjithëpërfshirës), apo ndonjë lloj kreativ të ri të vet-organizimit të llojit të tillë, kjo është mënyra më legjitime e vendimmarrjes pasi që secili individ e përfaqëson në plotësi veten e tij/saj. Rrjedhimisht dhe nevoja për përfaqësues shuhet. Pasi që nuk ka udheheqës, konkurrenca zavendësohet me bashkëpunim ndërsa lufta për pushtet me ndjenjën e solidaritetit që gjithnjë tenton në të mirën kolektive.


Ne jemi të vetëdijshëm që kjo nuk do të pranohej nga strukturat e kalbura udhëheqëse të fakulltetit. Përkundrazi, rektorati dhe (sidomos) organizatat dhe parlamenti studentor do të provonin ta shtypnin në çdo mënyrë një tentativë të tillë. Mirëpo ne duhet të jemi të përgaditur të rezistojmë. Protestat dhe aksionet simbolike janë “lutje” ndaj atyre strukturave që i luftojmë. Ne duhet ta marrim hapin më radikal, hap që askush deri më tani nuk e ka ndërmarrë: refuzimin e pagesave semestrale, refuzimin e të gjitha vendimeve të parlamentit studentor, refuzimin e vendimeve të senatit që janë në kundërshtim me vendimet kolektive të studentëve dhe punëtorëve, refuzimin e planprogrameve që kanë nuanca seksiste, fashiste, nacionaliste, homofobike si dhe ato që promovojnë njëmendësinë, e deri tek çlirimi fizik dhe simbolik(nëpërmjet okupimit) të fakulteteve dhe konvikteve. Vetëm me aksione të drejpërdrejta kritike e radikale ne mund t’ju kundërvihemi suskeshëm sistemit te Bolonjës dhe uzurpimit të universitetit. Vetëm kështu do të mbjellim farën e rezistencës që tejkalon kufitë e universitetit.


Le të jetë kjo thirrje për të gjithë ata që e gjejnë veten e tyre në këto ide që ti bashkangjiten rezistencës.


Për arsimim të lirë dhe emancipues!