Howard Zinn
Çështja e Sako dhe Vanzeti
Pesëdhjetë vjet pas ekzekutimit të emigrantëve italianë Sako dhe Vanzeti, Guvernatori i Masaçusetit, Dukaki, ngre një komision me qëllim që të kontrollohet paanësia e gjyqit të tyre, dhe rezultoi se që të dy nuk u gjykuan në mënyrë të drejtë. Lajmi shkaktoi në Boston një furtunë të vogël reagimesh...
Në 50-vjetorin e ekzekutimit, gazeta N.Y.Times përmendte se:«Plani i Kryetarit të Bashkisë, të shpallë të Martën e ardhshme dita e ‘’Sakos dhe Vanzetit’’, u anulua për mënjanimin e debatit, sipas zëdhënësit të Bashkisë». Duhet të ekzistojë një arsye e rëndësishme, përderisa një çështje 50-vjeçare, tashmë më tepër se 75-vjeçare , të shkaktojë ndjenja kaq të forta. Konsideroj se kjo ndodh ngaqë diskutimi rreth Sakos e Vanzetit , sjell në dritë, në mënyrë të pashmangshme, probleme që na shqetësojnë edhe sot: si sistemi i drejtësisë, lidhja ndërmjet gjakndezjes së një lufte dhe lirive politike, dhe veçanërisht idetë zjarrvënëse të anarkizmit, domethënë zhdukjen e kufijve shtetëror dhe si rrjedhim edhe të luftës, eliminimin e varfërisë, zhvillimin e demokracisë së plotë. Çështja e Sakos dhe Vanzetit nxori në shesh gënjeshtrën e parullave të mëdha, ku shkruhet “barazi para ligjit”, të cilat zbukurojnë sallat tona të gjyqeve. Ata dy njerëz, peshkatari i rëndomtë dhe këpucari, nuk u trajtuan në mënyrë të drejtë nga sistemi amerikan, pasi drejtësia nuk është e barabartë për të varfrit dhe të pasurit, për të huajt dhe për vendasit, për radikalët dhe për racionalët, për njerëzit me ngjyrë dhe për te bardhët. Dhe ka mundësi padrejtësia sot, të funksionojë më me modesti dhe në mënyrë më të komplikuar, në krahasim me kushtet që mbizotëronin për çështjen Sako e Vanzeti, por esenca vazhdon të mbetet po ajo. Në rastin e tyre padrejtësia ishte skandaloze. Presupozohet se dënoheshin për vjedhje dhe vrasje, por në mendjet e tyre, në sjelljen e prokurorit, të gjykatësit dhe të jurisë ishte e qartë se rol vendimtar luajti të qenit “makaronas”, emigrantë, punëtorë të varfër, radikalë.
Ja një fragment nga hetimi policor:
-Polici: Je qytetar iShBA?
-Sako:Jo
-Polici: Je komunist?
-Sako: Jo
-Polici: Anarkist?
-Sako: Jo
-Polici: Beson tek qeveria jonë?
- Sako: Po, por disa gjëra do ti doja ndryshe.
Ç’lidhje kishin këto pyetje me vjedhjen e një fabrike këpucësh në Breindrin e Jugut në Masaçuseti dhe me vrasjen e një brigadieri dhe të një roje? Natyrisht, Sako gënjente kur thoshte nuk jam komunist, anarkist. Përse thoshte gënjeshtra në polici? Për të njëjtën arsye që një Hebre thoshte gënjeshtra në Gestapo. Për të njëjtën arsye qe një njeri ngjyrë thoshte gënjeshtra në hetuesi në Afrikën e Jugut. Për të njëjtën arsye që një antiregjimist thoshte gënjeshtra në sigurimin e Bashkimit Sovjetik(E njëjta ndodhte dhe në sigurimin e shtetit në Shqipëri, tashmë të gjithë ne e dimë se si i merrte të famshmet deklaratat e rreme nga të akuzuarit, dhe se si i detyronin të pranonin një faj që nuk kishin kryer). Ata të gjithë e dinin se nuk kishte drejtësi për ta. Ka ekzistuar ndonjëherë drejtësia në sistemin amerikan për një të varfër, për një njeri me ngjyrë, për një radikal? Tetë anarkistë të Çikagos u dënuan me vdekje më 1886 pas trazirave në Heimarket (për të cilat përgjegjëse ishte policia), jo se kishte të dhëna që vërtetonin pjesëmarrjen e tyre në sulmet ndaj një rajoni policie, as edhe më të voglën. Por sepse ata ishin liderë të lëvizjes anarkiste në Çikago.
E. Debs dhe njëmijë të tjerë, mos vallë u burgosën gjatë Luftës së Parë Botërore në bazë të ligjit për agjitacion, sepse ishin agjentë? E pa mundur. Ata ishin socialistë që i kundërviheshin luftës. Gjatë legalizimit të dënimit të Debs me 10-vjet heqje lirie, gjykatësi i gjykatës së shkallës së lartë, Oliver Holms, bëri të qartë për ç’arsye duhej të dënohej Debs-i, duke përsëritur fjalët e të akuzuarit: “shtresa e lartë gjithmonë shpallte luftëra dhe shtresa e ulët gjithmonë jepte betejat’’...
Është e mundur sot, në frymën e luftës ‘’kundër terrorizmit’’, një Mysliman të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë nga ligji? Përse policia nxori zvarrë nga makina një komshiun tim brazilian, që ishte ezmer dhe ngjante me mysliman nga Lindja e Mesme, pavarësisht se nuk kishte shkelur ligjin, dhe e morën në hetim dhe e poshtëruan? Përse njerëzit me ngjyrë dhe varfanjakët përbëjnë në proporcion të zhdrejtë pjesën më të madhe të dy milionë të burgosurve në burgjet amerikane dhe të gjashtë milionë njerëzve që gjenden jashtë me kusht ose në arrest shtëpie? Një studim tregoi se 70% e të burgosurve në burgjet e New York-ut vjen nga 7 lagjet e qytetit, lagje varfërie dhe dëshpërimi. Fatkeqësia e dallimeve klasore është prezente në çdo dekadë, në çdo shekull të historisë sonë.
Ndërkohë që çështja Sako dhe Vanzeti ishte në shqyrtim e sipër , një i pasur nga Milton-i , në jug të Boston-it, qëlloi dhe vrau një njeri që mblidhte dru brenda kufijve të tokave të tij. U mbajt 8 ditë në arrest dhe më pas lirua me garanci një shumë të hollash dhe nuk iu ngrit asnjë akuzë. Prokurori e quajti çështjen “vrasje me arsye”. Tjetër ligj për të pasurit dhe tjetër për të varfrit-karakteristikë kronike e sistemit tonë.
Por varfëria e Sako-s dhe Vanzeti-t nuk ishte krimi kryesor i tyre. Ata ishin , italianë, emigrantë, anarkistë. Më pak se 2 vjet kishin kaluar nga Lufta e Parë Botërore dhe ata kishin protestuar kundër luftës. Refuzuan të rekrutoheshin. U bënë dëshmitarë të histerisë kundrejt radikalëve dhe emigrantëve, të bastisjeve të shtëpive nga agjentët e prokurorisë së përgjithshme të ministrisë së drejtësisë, të mbajtjes në izolim të personave të ndryshëm dhe rrahjes së tyre me çomange.
Në Boston arrestuan 500 veta, i lidhën me zinxhirë dhe i ekspozonin nëpër rrugë. Luixhi Galeani-n, redaktor i gazetës anarkiste Cronaca Suvversiva[1], tek e cila ishin abonentë edhe Sako me Vanzeti-n e arrestuan dhe e ekstraduan menjëherë. Por ndodhi diçka edhe më e tmerrshme. Një anarkist ,punëtor shtypshkronje, i quajtur Andrea Salsedo, shok i Sako-s dhe Vanzeti-t, u rrëmbye në New York nga agjentë të FBI-së (përdor fjalën rrëmbim për të përshkruar arrestimin e pa ligjshëm te një personi) dhe u mbajt në zyrat e shërbimit në katin e 14-të të ndërtesës Park Row. Nuk e lejonin ti telefononte familjes , miqve, apo ndonjë avokati, e morën në hetim dhe e rrahën, sipas të thënave të njërit që u arrestua bashkë me të. Gjatë javës së 8-të të arrestimit, më 3 Maj 1920, trupi i Salsedo-s ,i transformuar, u gjet në trotuarin pranë ndërtesës Park Row dhe sipas FBI-së ai u vetëvra duke u hedhur nga dritarja e dhomës ku mbahej, në katin e 14-ë. Kjo ndodhi vetëm 2 ditë para arrestimit të Sako-s dhe Vanzeti-t.
Sot pas disa raporteve të Kongresit më 1975, jemi në dijeni të detajeve të planit Cointelpro[2] që ushtronte FBI-a sipas të cilës agjentët e saj hynin në shtëpi dhe zyra, duke realizuar përgjime, përvetësime, ushtronin dhunë deri në vdekje dhe bashkëpunuan me policinë e Çikagos për vrasjen e dy liderëve të organizatës Black Panther[3] më 1969. FBI-a dhe CIA kanë shkelur ligjin shumë herë. Për ta nuk ka dënim veç. Nuk ka arsye të besojmë se liritë politike në këtë vend do jenë nën mbrojtje në këtë frymë histerike që u kultivua pas 9 Shtatorit dhe që vazhdon deri sot. Brenda kufijve u kryen arrestime në masë, paraburgime pa arsye, ekstradime, përgjime e gjëmime pa asnjë autorizim. Jashtë kufijve u kryen ekzekutime pa gjyq, tortura, bombardime, luftë dhe pushtim ushtarak.
Gjyqi i Sako-s dhe Vanzeti-t filloi menjëherë pas përvjetorit Memorial Day[4], një vit e gjysmë pas orgjive të vdekjes dhe patriotizmit të Luftës së Parë Botërore, dhe ndërsa gazetat dridheshin nga tamburet e luftës dhe të propagandës shoviniste. Në ditën e 12-të të gjyqit u përmend në shtyp se tre trupa ushtarësh u transportuan nga fushat e betejës të Francës në Brokton, dhe se i gjithë qyteti mori pjesë në ceremoni patriotike. Këto shkruheshin në gazeta, të cilat natyrisht që kishin mundësinë anëtarët e jurisë ti lexonin. Sako u mor në hetim nga prokurori Kaxhman.
–Pyetje: Ndjeve dashuri për këtë vend javën e fundit të Majit të vitit 1917?
-Sako: Kjo është e vështirtë ti përgjigjem me një fjalë, z. Kaxhman.
–Pyetje: ekzistojnë dy fjalë që mund të përdorësh, z.Sako, po ose jo. Kë do zgjedhësh?
-Sako: Po -Pyetje: Dhe për të treguar këtë dashuri për Shtetet Bashkuara të Amerikës, kur tu kërkua të rekrutohesh, ti ia mbathe në Meksikë?
Në ditët e para të gjyqit, gjykatësi Thier (i cili, duke biseduar në një shoqëri golfi, përmendi të akuzuarit duke i quajtur :”ata bastardët anarkistë”), i tha jurisë: “Zotërinj, ju kërkoj të ofroni shërbimet tuaja këtu me të njëjtën frymë patriotike, kurajë dhe besnikëri ndaj detyrës, ashtu si vepruan ushtarët tanë në luftë”.
Ndjenjat që zgjuan një bombë që shpërtheu në shtëpinë e Prokurorit të Përgjithshëm Palmer në kohën e luftës, si ato që lindën nga goditja e 9 shtatorit, krijuan një atmosferë të nderë në kuadër të së cilës u flijuan liritë politike. Sako dhe Vanzeti kishin kuptuar se çfarë do lloji argumenti juridik të përdornin avokatët e tyre, nuk do të mbizotëronin kundrejt realitetit të egër të drejtësisë klasore.
Sako, duke iu referuar vendimit të dënimit të tij, deklaroi para gjyqit: «E di se është pasojë e luftës klasore ndërmjet të shtypurve dhe pasanikëve...Kjo është arsyeja që ndodhem sot në bankën e të akuzuarit, sepse unë i përkas klasës së shtypur»
Një mendim i tillë duket dogmatik dhe i thjeshtëzuar. Nuk mund të shpjegosh në këtë mënyrë të gjitha vendimet e gjykatave. Por, përderisa nuk disponojmë një teori që të mbulojë të gjitha rastet, pozicionimi i thjeshtë por i pa tundur e i argumentuar i Sako-s na ndihmon më tepër të kuptojmë funksionimin e sistemit ligjor, në kundërshtim me mendimin që konsideron se një çështje gjyqësore është një përballje ndërmjet të barabartëve dhe bazohet në kërkimin e të vërtetës objektive.[5]
Vanzeti e dinte se argumentet juridikë nuk do ta shpëtonin. Nga momenti që miliona Amerikanë nuk organizoheshin, ai dhe shoku i tij, Sako, do të ekzekutoheshin. Jo me fjalë por betejë. Jo thjeshtë dëshirë por pretendime. Jo me lutje kundrejt Qeverisë por me uzurpime fabrikash. Jo me ryshfete, duke vaisur ingranazhet e një sistemi gjoja të drejtë , për të funksionuar më mirë, por grevë të përgjithshme, me qëllim që të ndalojë së funksionuari.
Kjo nuk ndodhi. Mijëra vetë demonstruan dhe protestuan, jo vetëm në Nju Jork, në Boston, në Çikago, në San Françisko por edhe në Londër, në Paris, në Buenos Ajros, në Afrikën e Jugut. Kjo nuk mjaftoi. Natën e ekzekutimit të Sako-s dhe Vanzeti-t, mijëra vetë demonstruan në Çarlstoun, por u mbajtën larg burgut nga forcat e shumta të rendit. Demonstrues u arrestuan. Mitrolozë u vendosën nëpër tarraca dhe projektorë të mëdhenj vrojtonin gjithë zonën.
Një turmë e madhe u mblodhën në Union Square, më 23 Gusht 1927. Pak minuta pas mesnate, dritat e burgut luhateshin, ndërsa të dy burrat ekzekutoheshin në karrigen elektrike. Gazeta New York World përshkroi këtë skenë si më poshtë: «Turma reagoi me një dënesë të thellë. Pesëmbëdhjetë me njëzet gra humbën ndjenjat. Të tjerë, të përdhosur, u ulën në trotuar dhe mbulonin kokat e tyre me duar. Burra që mbështetën kokën tek supet e njëri-tjetrit dhe qanë.»
Krimi i Sako-s dhe Vanzeti-t ishte anarkizmi i tyre, një filozofi që edhe sot na befason si rrufe me të vërtetën e saj esenciale: jemi një të gjithë, kufijtë nacionalë dhe urrejtja nacionale duhen zhdukur, lufta është e palejueshme, frytet e tokës duhet të ndahen dhe kjo botë mund të bëhet realitet vetëm me luftën e organizuar kundër pushtetit. Çështja e Sako-s dhe Vanzeti-t për ne sot nuk është thjesht një tragjedi, por edhe na frymëzon. Anglishtja e tyre nuk ishte e përkryer. Por kur flisnin, fjalët e tyre jehonin si poezi. Vanzeti rrëfen për shokun e tij, Sako:
«Sako është shpirt njeriu, pishtar, personalitet, është Njeri, një Njeri i dashuruar me natyrën dhe me njerëzimin. Një Njeri që flijoi çdo gjë në altarin e lirisë dhe të dashurisë për njerëzit: paratë, çlodhjen, ambiciet mondane, gruan dhe fëmijët e tij, veten, dhe jetën e tij...Natyrisht, mund të kem më tepër intelekt se ai, si thonë disa, të jem orator më i mirë,por shumë herë në të kaluarën, duke dëgjuar zërin e tij të ngrohtë të tingëllojë me ndershmëri madhështore, mendoja flijimin e tij madhor duke sjellë në mendje heroizmin e tij, ndjehesha i vogël, i vogël përball madhështisë së tij dhe inkurajoja veten time ti rezistonte lotëve, mundohesha të qetësoja zemrën time, që rrihte fort, që të mos qante para tij. Atë Njeri e quajtën kriminel dhe kryetar bande dhe e dënuan».
Më e keqja nga të gjitha , ata dy Njerëz ishin Anarkist, domethënë ishin të infektuar nga një ide e çmendur për demokraci të plotë, ku nuk do të kishte as ksenofobi as varfëri, dhe besonin se në mungesë të këtyre shkaqeve lufta ndërmjet kombeve do shfarosej.
Sako i shkroi djalit të tij, Dante-s: «Bir, në vend që të qash, të jesh i fortë, që të mbështesësh nënën tënde... dërgoje për një shëtitje në natyrën e qetë, mblidhni lule, çlodhuni nën hijen e pemëve... Por, mos harro, Dante, në këtë lojë lumturie mos mendo vetëm për veten tënde...ndihmo të persekutuarit dhe viktimat, sepse ata janë miqtë e tu më të mirë...Në këtë luftë për të jetuar do njohësh dashurinë e vërtetë dhe do dashurohesh».
Pa dyshim, anarkizmi dhe dashuria e tyre për njerëzimin i dënoi. Kur arrestuan Vanzeti-n kishte në xhep një trakt, që fliste për një takim që do bëhej për pesë ditë. Ky trakt shumë mirë mund të shpërndahej edhe sot, në të gjithë botën, është shumë aktual, ashtu si ditën e arrestimit të tyre. Në të thuhej:
Ke luftuar në çdo luftë. Ke punuar për çdo kapitalist. Je endur në të gjithë botën. Ke shijuar, veç, frytet e punës tënde dhe dobitë e fitoreve të tua? Je i kënaqur me thërrimet? Të buzëqesh e tashmja? Të premton e ardhmja diçka më të mirë? Ke gjetur një cep në këtë botë ku të jetosh e të vdesësh si njeri? Për këto pyetje, për këtë çështje, për luftën për jetën, do flasë Bartolomeo Vanzeti.
Ky takim nuk u realizua kurrë. Por, fryma e atyre njerëzve vazhdon të posedoj edhe sot të gjithë ata që besojnë dhe duan dhe luftojnë kudo në botë.
[1] Pjesë nga libri i Howard Zinn: A Power Cannot Suppress( Një fuqi që Qeveritë nuk mund ta mposhtin), City Lights, 2006. Bën fjalë për një çështje gjyqësore që lidhet me një krim në Masacusheti(1920-1927). Pas vjedhjes së një fabrikë këpucësh dhe vrasjet e një brigadieri dhe të një roje, policia arrestoi emigrantët italianë, anarkistët Nicola Sacco (1891-1927) dhe Bartolomeo Vanzzeti (1888-1927). U gjykuan, u dënuan dhe u ekzekutuan në Boston më 1927.
[2] Croanca Sovversiva: Gazetë e pavarur, anarkiste amerikane që u themelua nga Luigi Galleani, 6 Qershor 1903. Botonte artikuj vetëm në italisht dhe arriti të kishte 5000 abonent.
[3] Counter Intelligence Program: Projekt antispiunazhi i FBI 1956-1971. Përfshinte udhëzime për të përgjuar Ku Kluks Klan, partinë komuniste, ekstremistët me ngjyrë,partinë socialiste punëtore, etj.
[4] Organizata Pantera e Zezë u krijua në Kaliforni më 1966. Në gjirin e saj kishte disa Afroamerikanë të majtë, mbështetës të luftës së armatosur. Por programi zyrtar i saj ishte më konservator jo revolucionar.
[5] Festë zyrtare në SHBA. U vendos më 1868. Fillimisht i ishte dedikuar kujtesës së ushtarëve që ranë në luftën civile amerikane, por më pas iu dedikua të gjithë ushtarëve të Amerikës që vriten në luftë.